Pas më shumë se një viti thirrjesh për shpëtimin e memorialit të rilindësve, të rinjtë e Gjirokastrës i janë futur vetë punës. Të bashkuar rreth lëvizjes “Djemtë e Gjirokastrës”, të lodhur me kërkesat e vazhdueshme ndaj institucioneve, kanë nxjerrë secili lekë nga xhepi për të blerë materialet e nevojshme për restaurim. Përveç rehabilitimit të pesë varreve ku prehen eshtrat e Çerçiz Topullit, Bajo Topullit, Koto Hoxhit, Pandeli Sotirit dhe Andon Zako Çajupit, këta të rinj kanë pastruar ambientin përreth dhe i kanë rikthyer memorialit shqiponjën dhe një flamur. Simboli i vendosur në një kullë të lartë ishte katandisur në një skelet që nuk kuptohej më se çfarë ishte. Duke bashkëpunuar me gurgdhendësin gjirokastrit Muredin Makri, është vendosur një shqiponjë e punuar në gur. Në prill të vitit të shkuar, pas kërkesave të vazhdueshme të këtyre të rinjve dhe një sensibilizimi qytetar, Bashkia e Gjirokastrës ndërhyri për restaurimin e varreve. Në fakt, kjo punë nuk shkoi gjatë, sepse u shkatërruan sërish, nga persona të paidentifikuar. “Kemi plot një vit rresht që po çojmë zërin për monumentet historike në krahinën e Gjirokastrës. Institucionet na dëgjojnë vetëm në prag të fushatave elektorale, pas tyre ata harrojnë premtimet paraelektorale. Kalvari i rindërtimit përfundimtar të memorialit të rilindësve nisi më 14 janar të vitit 2011 ku u lexua një peticion drejtuar bashkisë së qytetit dhe Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës me 100 nënshkrime të të rinjve të Gjirokastrës, ku u shpreh shqetësimi për gjendjen e mjerueshme ku ndodheshin rilindësit të vrarë për së dyti nga harresa 20-vjeçare e institucioneve përgjegjëse. Në fillim të prillit të vitit të shkuar bashkia e qytetit bëri një investim në 5 varret e rilindësve dhe premtoi se do të zhvillonte një konkurs ndërkombëtar për bërjen e një memoriali të ri ose rindërtimin e memorialit ekzistues. Ky premtim ngeli në letër”, shprehet Albi Koçi, një nga përfaqësuesit e të rinjve. Një vit më pas, në maj të 2012-s, punimet për restaurim kanë përfunduar. Pas kësaj pune, këta të rinj mendojnë të mos ndalen me kaq. Kanë ngritur një grup pune me studentë, për të parë shpenzimet që u duhen për restaurimin e të gjitha monumenteve historike në krahinën e Gjirokastrës. “Kemi filluar punën edhe për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e 5 busteve të 5 rilindësve të harruar: Elmaz Boces, i harruar qëllimisht nga sistemi i kaluar, Zeman Mashkullorës (në fshatin Mashkullorë), anëtar i çetës së Çerçizit, Bajram Ligut (në fshatin Prongji), një prej atentatorëve të Bimbashit më 13 mars 1908 nga çeta e Çerçizit, Bajo Topullit (në Gjirokastër), kryetar i Komitetit për Lirinë e Shqipërisë. Në bashkëpunim me forumin “Djemtë e Përmetit” do të ngremë edhe bustin e Abdyl Frashërit në këtë qytet”, shprehet Koçi.


